Secondary Adv

Shqipëria jeton për t’u ushqyer, rekord në Europë, një e pesta e ekonomisë shkon për ushqime

Shqipëria vijon të ketë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke lënë pas të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe ekonomitë e rajonit, sipas të dhënave të Eurostat.

Edhe pse ekonomia dhe të ardhurat janë rritur në vitet e fundit, familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë shumë të madhe të burimeve financiare për nevojat bazë. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, në vitin 2025 shpenzimet për ushqime arritën në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 20.5% një vit më parë. Kjo do të thotë se rreth një e pesta e gjithë ekonomisë shqiptare përdoret për blerjen e ushqimeve.


Treguesi i përdorur nga Eurostat mat vlerën nominale të shpenzimeve për ushqime si përqindje e PBB-së dhe shërben për të vlerësuar peshën që zë konsumi i ushqimeve në ekonominë e një vendi. Në ekonomitë me të ardhura më të larta kjo peshë është dukshëm më e ulët, pasi familjet shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave për strehim, transport, arsim, shëndetësi, kulturë dhe argëtim.


Shqipëria kryeson në Ballkanin Perëndimor

Me një peshë prej 20.4% të PBB-së, Shqipëria renditet e para në rajon. Pas saj vjen Mali i Zi me 19.9%, nga 19.3% në vitin 2024, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina regjistroi 19.1%, nga 19% një vit më parë.


Në Maqedoninë e Veriut shpenzimet për ushqime përfaqësonin 17.9% të PBB-së, me rënie nga 18.2% në vitin 2024. Mesatarja e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për në Bashkimin Europian, pa përfshirë Turqinë dhe Kosovën, ishte 15.9% e PBB-së, ose rreth 4.5 pikë përqindjeje më e ulët se niveli i Shqipërisë.


Serbia paraqiste një peshë dukshëm më të ulët, me 12.8% të PBB-së në vitin 2025, ndërsa për Kosovën nuk janë publikuar të dhëna të veçuara.


Diferenca me Bashkimin Europian mbetet shumë e madhe

Në 27 vendet e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime përfaqësonin mesatarisht vetëm 6.2% të PBB-së në vitin 2025. Kjo do të thotë se pesha e ushqimeve në ekonominë shqiptare ishte më shumë se trefishi i mesatares europiane, me një diferencë prej 14.2 pikë përqindjeje.


Edhe krahasuar me vendet me të ardhura më të ulëta të BE-së, Shqipëria rezulton dukshëm më lart. Në Rumani ushqimet zinin 12.9% të PBB-së, në Bullgari 11%, në Greqi 11.2%, në Kroaci 10.2%, në Portugali 11.4% dhe në Poloni 9%.


Në Itali kjo peshë ishte 7.9%, në Spanjë 6.6%, ndërsa në ekonomitë më të zhvilluara të Europës niveli është edhe më i ulët. Gjermania regjistroi 5%, Franca 5.8%, Austria 4.6%, Zvicra 4%, Danimarka dhe Holanda 4.4%, Norvegjia 3.3%, Luksemburgu 2.8% dhe Irlanda vetëm 2.1% të PBB-së.


Ushqimet në Shqipëri janë më të shtrenjta se mesatarja e BE-së

Një nga arsyet kryesore që rëndon buxhetin e familjeve shqiptare është niveli i lartë i çmimeve të ushqimeve në raport me fuqinë blerëse. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën për herë të parë në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian.


Në vitin 2022 ato ishin sa 85% e mesatares së BE-së, u rritën në 99.6% në vitin 2024 dhe kaluan mbi mesataren europiane në vitin 2025. Praktikisht, një shportë ushqimore që kushton mesatarisht 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro sipas fuqisë blerëse, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve arrijnë vetëm në rreth 48% të mesatares europiane, sipas konsumit individual për frymë.


Shqipëria rezulton gjithashtu vendi me ushqimet më të shtrenjta në rajon. Serbia renditet e dyta me një indeks çmimesh prej 96.6%, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë indeks 84.6%. Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë në rajon, me çmime sa 74.3% e mesatares së BE-së. Për Kosovën mungojnë të dhënat.


Rreth 5 miliardë euro në vit për ushqime

Në terma nominalë, shpenzimet për ushqime në Shqipëri arrijnë në rreth 5 miliardë euro në vit. Sipas Eurostat, çdo banor shpenzoi mesatarisht 2,349 euro për ushqime gjatë vitit 2025, një nivel i afërt me mesataren e Bashkimit Europian prej 2,576 eurosh.


Në rajon, vetëm Mali i Zi regjistroi një shpenzim më të lartë për frymë, me 2,613 euro, ndonëse pagat atje janë rreth 40% më të larta se në Shqipëri. Shpenzimet mesatare për ushqime ishin 1,735 euro në Serbi, 1,666 euro në Maqedoninë e Veriut dhe 1,620 euro në Bosnjë dhe Hercegovinë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat